Pas ndeshjes, trajneri madrilen nuk kishte ç’të thoshte tjetër. Edhe pse Karlo Ançeloti deklaroi se “kjo humbje nuk duhet bërë dramë”, sërish ai pranoi se “të shqetëson fakti se u shpërfytyruam, kjo humbje dhemb shumë sepse është një El Klasiko dhe sepse ishim para publikut tonë”. Italiani pranoi se “faji është i imi, gjithmonë faji është së pari i trajnerit”. Ndoshta është tepër shpejt për t’i shkruar “nekrologjinë” një trajneri që ka fituar kudo, në Itali, Angli, Spanjë, Gjermani e Francë, dhe që po kërkon trofeun e 4-ët të Championsit në stol dhe të 6-in duke përfshirë edhe ata të fituar si futbollist. Gjithsesi, imazhi i Realit të tij ndaj Barcelonës së Ksavit ishte shumë i keq. Portieri Tibo Kurtua nuk e fshehu kritikën. “Me “9-ën false” e provuam në Bilbao për Kupën dhe nuk arritëm as që të gjuanim në portë, nuk patëm as kontroll të topit, as lojtar të lirë, u dorëzuam dhe rezultati mund të kishte qenë shumë më i keq”.
Sfidanti.al