Broja si Maradona, goli i tij në Kupën e Anglisë është më i bukuri!

Një sezon shumë i mirë që mund të bëhet i shkëlqyer. i tillë ky vit sportiv për Armando Brojën që mori një tjetër vlerësim në futbollin anglez. Goli i shënuar prej tij në Kupën e Anglisë u cilësua si më i bukuri i të gjitha ndeshjeve të raundit të pestë. Shqiptari shënoi për rezultatin 3-1 në favor të Sauthemptonit në fitoren ndaj një rivali të fortë si Uest Hemi, ndërsa ekipi i tij arriti çerekfinalet. Pikërisht këtë të diel, Broja do të synojë arritjen në gjysmëfinale, në përballjen ndaj kampionëve të Anglisë, yjeve të Mançester Sitit.

Shqiptari nuk luajti në mesjavë pas një dëmtimi që pësoi në humbjen e Sauthemptonit kundër Njukasëllit, por gjithsesi ishte në stol dhe mediat angleze e paraqesin të gatshëm për trajnerin Hazenhytl, madje si titullar. Sulmuesi i kombëtares pati një ndeshje të madhe ndaj Sitit në Premier Ligë, duke shënuar edhe gol që iu anulua për pozicion jashtë loje, duke goditur shtyllën e duke krijuar raste të tjera për gol. Broja 20-vjeçar ka 6 gola këtë sezon në Premier Ligë, dhe 8 rrjeta në të gjithë edicionin duke përfshirë edhe Kupën e Anglisë, ndërsa bashkë me ndeshjet me kombëtaren, arrin në 11 gola.

Sfidanti.al