Përballjet do të jenë të forta, dhe ashtu priteshin. Nuk mund të ndodhte ndryshe me shortin çerekfinal të Championsit hedhur nga UEFA në Nion të Zvicrës, dhe njëra nga përballjet mund të cilësohet finale e parakohëshme. Çelsi i Londrës, kampion i Europës në fuqi, do të presë Realin e Madridit, rekordmen të këtij konkurrimi, që ka fituar 13 kupa në histori. Përballja e parë në “Stemford Brixh”, e dyta në “Santiago Bernabeu”, ndërsa sezonin e kaluar londinezët i eliminuan madrilenët në gjysmëfinale. Një tjetër duel mes futbollit anglez dhe atij spanjoll është ai mes Mançester Sitit dhe Atletikos së Madridit. Skuadra e Guardiolës, finaliste sezonin e kaluar, do të synojë ta fitojë më në fund trofeun, dhe do të jetë padyshim favorite ndaj Atletikos. Gjithsesi, të besuarit e Simeones sapo eliminuan Mançester Junajtidin, ndaj gjithçka mund të ndodhë.
Bajerni i Mynihut, kampion i Europës në 2020, do të shkojë në fushën e Vijarrealit, që është kampion në fuqi i Ligës së Europës. Një duel tepër interesant, aq më tepër që spanjollët mposhtën bindshëm Juventusin favorit me fitoren 3-0 në Torino. Një klasike europiane do të jetë çerekfinalja mes Benfikës e Liverpulit. Dy ekipet janë ndeshur plot 10 herë në 45 vitet e fundit, me 4 kualifikime për anglezët dhe një për portugezët. Në Nion u hodh edhe shorti i gjysmëfinaleve të Ligës së Kampionëve. Fituesi i çiftit Çelsi-Real do të ndeshet me fituesin e sfidës Siti-Atletiko. Në krahun tjetër, fituesi i duelit Vijarreal-Bajern do të ketë përballë fitimtarin mes Benfikës e Liverpulit.
Shorti i çerekfinaleve
Çelsi-Real Madrid, Mançester Siti-Atletiko Madrid, Vijarreal-Bajern Mynih, Benfika-Liverpul.
Ndeshjet luhen në 5-6 prill dhe 12-13 prill.
Shorti i gjysmëfinaleve
Mançester Siti/Atletiko Madrid- Çelsi/Real Madrid, Benfika/Liverpul-Vijarreal/Bajern Mynih.
Ndeshjet luhen në 26-27 prill dhe 3-4 maj.
Sfidanti.al