Triumfon Atletiko e Simeones, bien Man. Junajtidi dhe Kristiano Ronaldo!

Mesi nuk do të jetë vetëm në shtëpi, por do të ketë shoqëri, ndonëse në distancë. Kristiano Ronaldo iu bashkua superyllit portugez sepse Mançester Junajtidi u eleminua nga Championsi ashtu si një javë më parë Paris SG. “Djajtë e kuq” zhgënjyen në fushën e tyre, në “Old Traford”, duke u mundur 0-1 nga Atletiko e Madridit. Mbrojtësi brazilian i krahut, Renan Lodi, shënoi golin e vetëm në 41’, dhe spanjollët e Diego Pablo Simeones u mbajtën fort deri në fund. Anglezët patën epërsi territoriale (60 për qind zotërim topi), por pa e kthyer në epërsi në gjuajtje.

Suksesi për Simeonen ishte i madh, pasi ekipi madrilen ishte pranë eleminimit që në grup me Liverpulin, Porton e Milanin. Sot është në çerekfinale të Championsit, ndërsa në La Ligë ka mundësi të hyjë sërish në zonën Champions, edhe pse jo të mbrojë titullin e fituar vjet. Legjenda e Junajtidit, Pol Skoulls (sot opinionist) tha se “ekipi ka nevojë për një trajner për të qenë, nuk e di sesi e kanë caktuar Rangnikun që ta drejtojë”.

Në çerekfinale janë kualifikuar deri tani: Bajerni, Liverpuli, Mançester Siti, Reali i Madridit, Atletiko e Madridit, Benfika.

Mançester Junajtid (4-2-3-1): De Gea, Dalot, Varan, Megajer (Mata 84’), Tejes, Mektominai (Matiç 68’), Fred (Kavani 76’), Sanço, Fernandes (Pogba 68’), Elanga (Rashford 67’), Ronaldo.

Atletiko Madrid (5-3-2): Oblak, Jorente, Gimenez, Saviç, Mandava, Lodi, De Paul, Herrera, Koke (Kondogbia 80’), Zhoao Feliks (Felipe 90’), Grizman (Korrea 90’).

Rezultatet: Mançester Junajtid-Atletiko Madrid 0-1 (Lodi 41’), Ajaks-Benfika 0-1 (Daruin Nunjez 77’).

Sfidanti.al