Trajnerët italianë janë dashuria e Dinamos, pritet prezantimi i Vanolit!

Dashuria italiane duket se nuk shuhet lehtë. Dinamo do të prezantojë nesër trajnerin e ri të skuadrës i cili vjen nga përtej Adriatikut, dhe quhet Rodolfo Vanoli. Zyrtarizimi i teknikut 59-vjeçar do të bëhet në të njëjtën sallë të klubit ku u paraqitën në publik edhe Bledi Shkëmbi me Bledar Devollin, dy njerëzit e stolit që e drejtuan ekipin këtë sezon. Vanoli, që ka qenë mbrojtës në karrierën e fubollistit, është bërë i njohur në Slloveni ku ka fituar dy herë titullin kampion, në 2015 me Koperin dhe në 2016 me Olimpijan e Ljubljanës. Ai u rikthye shkurtin e vitit të kaluar në Slloveni sërish me Koperin, të cilin e drejtoi deri në fund të sezonit.

Në Itali e Zvicër, 59-vjeçari ka pasur karrierë modeste me ekipe si Lugano, Belinxona, Kolixhiana, Pordenone apo Bishelje. Për Dinamon, ky do të jetë i treti trajner italian në 2 sezonet e fundit, pasi përpara tij ekipin e drejtuan Fabricio Kamarata dhe Françesko Moriero. i pari mund të thuhet se pati sukses në Kategorinë e Parë dhe kaloi tek Apolonia që në atë kohë ishte në Superligë, ndërsa i dyti qendroi shumë pak gjithashtu në Kategorinë e Parë. Blutë kryeqytetas shkarkuan trajnerin Devolli pas humbjes me Kukësin, 0-2 këtë fundjavë, ndërsa atij iu dha kohë në stol vetëm disa javë. Dinamo rrezikon seriozisht rënien nga kategoria duke qenë në vendin e parafundit me 23 pikë, 2 pikë larg vendit të katërt nga fundi që të mban në Superligë.

Sfidanti.al