Dyshja e portierëve Strakosha e Berisha titullarë, shkëlqen Asllani!

Shqetësimi më i madh i këtij sezoni duket se po kalon. Portierit e kombëtares shqiptare provuan stolin për një kohë të gjatë në Serinë A italiane, por këtë javë ishin që të dy në fushë. Etrit Berisha më në fund pati mundësi të ishte titullar në portën e Torinos që luajti në fushën e Bolonjës. Përfundoi 0-0 dhe shqiptari i Kosovës bëri detyrën e tij, herë me meritë e herë me fat. Nuk dihet nëse do të vazhdojë kështu, por gjithsesi aktivizimi jep shpresë. Edhe më mirë Tomas Strakosha që prej disa ndeshjesh po luan që nga minuta e parë. Gardiani 26-vjeçar mori edhe vlerësime shumë të mira në Itali dhe në Europë për paraqitjen në fitoren 3-0 të Lacios në fushën e Kaljarit. Strakosha mori notën 6 dhe 6.5, me komentet që thoshin se është më i sigurt në dalje, më mirë në lojën me këmbë e ndoshta po afrohet rinovimi i kontratës.

Fat i ndryshëm ndërkaq për dy shqiptarë të Empolit. Në fushë ishin Nedim Bajrami dhe Kristijan Asllani, ndërsa mbrojtësi kuqezi Ardian Ismajli këtë herë nuk u përgjigj në apel. Për Asllanin, që kë të mërkurë mbush 20 vjeç, komplimentet nuk u kursyen. Mesfushori luftoi fort, dhe shpëtoi ekipin disa herë në ndeshjen në fushën e Xhenoas që përfundoi 0-0, ndërsa mori notën 6. E kundërta për Bajramin që pas shumë kohësh zhvilloi një lojë të dobët. Edhe pse krijoi rreziqe në portën e Xhenoas, edhe pse tentoi golin dhe shërbeu pasime të mira, sërish paraqitja e mesfushorit të rëndësishëm kuqezi këtë herë ishte e pamjaftueshme. Ai mori notën 4.5.

Sfidanti.al