Sa shumë është mësuar Juvja që të vuajë, e bëri me sukses edhe ndaj Specias!

Fakti është që ritmi i rezultateve është shumë i lartë dhe se skuadra mund të luftojë për çdo trofe të mundshëm. Juventusi i trajnerit Masimiliano Alegri po kthehet dalë nga dalë në ekipin që dëshiron njeriu i stolit, jo i bukur për t’u parë, por i vështirë për t’u mundur, madje i zorshëm për t’ia ndaluar fitoren. Një tjetër 1-0 i dha 3 pikë në Serinë A, ashtu si shifrat 1-0 i dhanë fitoren jashtë fushe në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Italisë në Firence. Pa problem që nuk ishte autor goli Vlahoviçi, dhe pak rëndësi që nuk ishte në fushë Dibala. Juventusi ka edhe Alvaro Moratën që po punon edhe më fort për shkak të konkurrencës. “Zonja e Vjetër” fitoi ndaj Specias në Torino, duke pasur mungesa e duke vuajtur, diçka që i pëlqeu Alegrit. Në fushë nuk ishin Dibala, Bonuçi, De Shilio, Kieza, Kaio Zhorge, Mekkeni, Zakaria, Aleks Sandro dhe Kielini, ndërsa Bernardeski u kthye në stol. Ky ekip ka vërtet shumë potencial dhe nuk mund të qahet për këtë. Juvja e ka lënë 6 pikë prapa Atalantën në garën për zonën Champions (edhe pse bergamaskët kanë një ndeshje më shumë për të luajtur).

Sfidanti.al