Për momentin, trajneri Masimiliano Alegri i ka ndaluar lojtarët e tij që të ëndërrojnë kaq shumë. “Objektivi ynë këtë sezon është vendi i katërt dhe kualifikimi për në Champions”, – shprehet ai. Gjithsesi, fitorja 3-2 në fushën e Empolit bëri që Juventusi të jetë tani vetëm 7 pikë larg Milanit kryesues, dhe shumë pranë treshes së madhe, që ka në përbërje edhe Interin e Napolin. “Zonja” ka 13 rezultate pozitive radhazi në kampionat, edhe pse jo që të gjitha fitore. Suksesin në Empoli e bën edhe më të rëndësishëm fakti se në fushë mungonin plot 8 lojtarë, diçka që ndihet edhe nga ekipet e rëndësishëm.
Jashtë ishin Kieza, Bernardeski, Dibala, Kielini, Kaio Zhorge, Mekkeni, Aleks Sandro dhe Rugani. Në ndeshjen e fundit u dëmtua edhe Zakaria. Gjithsesi, tek Juvja është sot një sulmues që shënon golat dhe ky është Dushan Vlahoviç. Futbollisti nga Serbia realizoi dy herë, në fund të pjesës së parë dhe në 66’. “Vlahoviç ka cilësi të mëdha edhe si karakter”, – thotë Alegri. Kean ishte autori i golit të parë, ndërsa për toskanët realizuan Zurkovski e La Mantia. Për Empolin në fushë ishin tre shqiptarët, Nedim Bajrami, Ardian Ismajli dhe Kristijan Asllani, e vetëm Samir Ujkani ishte në stol. Ata nuk morën nota shumë të mira, sidomos pasti kritika për Ismajlin, ndërsa Bajrami iu afrua golit.
Sfidanti.al