Si shkon Man. Junajtidi në Champions kur Ronaldo shënon 1 gol në 10 ndeshje?!

Për titullin është e qartë që nuk mundet as të ëndërrohet, ndonëse superylli me numrin 7 gjithnjë ka luftuar për trofe të mëdhenj. Mançester Junajtidi u ndal në mënyrë të pabesueshme në “Old Traford” nga Uatfordi , edhe pse pati epërsi të plotë në lojë, por nuk pati saktësi dhe qartësi për të shënuar të paktën një gol. Barazimi 0-0 ndodhi edhe sepse Kristiano Ronaldo nuk mundi të shënonte, duke pasur tani vetëm 1 rrjetë në 10 ndeshje, por po ashtu sepse lojtarët e tjerë gabuan shumë, sidomos kapiteni Bruno Fernandes. Portugezi, që e mori shiriti nga Geri Megajer që nuk luajti, pati 3 raste të pastër, por i shpërdoroi. Uatfordi, që lufton për të mbijetuar në Premier, luftoi fort duke u mbrojtur e duke lejuar që nga 22 gjuajtje të Junajtidit vetëm 3 të ishin në kuadrat. Ishte një e shtunë e vështirë për “djajtë e kuq” të trajnerit Rangnik, ndërsa Totenhemi reagoi pas humbjes së mesjavës duke triumfuar në Lids. Gara për Championsin është shumë e fortë siç e tregon edhe renditja, ndërsa Junajtidi mund të lihet pas sidomos nga Arsenali, por edhe nga Totenhemi.

Rezultatet: Lids-Totenhem 0-4, Man. Junajtid-Uatford 0-0; Renditja: Man. Siti 63 pikë (26 ndeshje), Liverpuli 60 (26), Çelsi 50 (25), Man. Junajtidi 47 (27), Arsenal 45 (24), Uest Hem 42 (26), Totenhem 42 (25), Uolves 40 (25).

Sfidanti.al