Piloti gjerman, katër herë kampion i botës në Formula 1, ka deklaruar se nuk ka ndërmend të shkojë në Çmimin e Madh të Rusisë në Soçi, në formë proteste ndaj sulmit rus ndaj Ukrainës. Sebastian Fetel pritet të mos jetë në brigjet e Detit të Zi në 25 shtator të këtij viti, edhe nëse Formula 1 vendos që ta zhvillojë këtë garë. “U zgjova në mëngjes dhe u trondita nga lajmet, – tha ai, – mendoj se është e tmerrshme kjo që po ndodh. Natyrisht, kur hedh sytë në kalendar shikon se ka një garë në Rusi. Për mua personalisht, nuk duhet të shkojmë atje. Unë nuk do të shkoj atje. Mendoj se është gabim të garojmë në atë vend”. Gjermani ka të drejtë të tronditet për lajmet e bombardimeve dhe vdekjet e luftës këtë fund shkurti 2022. Gjithsesi, Fetel nuk e vuri në diskutim ndonjëherë pjesëmarrjen në Çmimin e Madh të SHBA-së, që kur nisi karrierën në Formula 1 në 2006 e 2007. Në 2003, SHBA pushtoi Irakun pa asnjë shkak të qendrueshëm, madje në bazë të informacioneve të shërbimeve sekrete që dolën të gënjeshtërta, ndërsa në 5 vitet e para në Irak humbën jetën deri në 1 milionë njerëz. Feteli garoi çdo vit në SHBA pa menduar të protestonte për këtë.
Sfidanti.al