Lukaku sërish problem tek Çelsi, ndoshta po mendon të largohet!

Lënia në stol në ndeshjen e Championsit ndaj Lilës duket se ishte më shumë zgjedhje teknike e trajnerit sesa mundësi për t’u “mbushur me frymë”. Historia e Romelu Lukakut po merr sërish ngjyrën e verdhë të misterit tek Çelsi, ndërsa mediat angleze shkruajnë se ai u anashkalua nga Tomas Tuheli, që tashmë ka më shumë besim tek Kai Haverci. Gjermani shënoi ndaj Lilës në fitoren 2-0, dhe patrioti i tij po mendon që ta aktivizojë në finalen e Kupës së Ligës (Karabao) ndaj Liverpulit këtë të diel. Gjithsesi, mediat angleze shkruajnë se Lukaku nuk ka ndërmend të marrë ndonjë vendim të shpejtë dhe të nxituar për të ardhmen. Kjo duket mirë, por vetë fakti se po mendohet që kjo gjë mund të ndodhë, tregon se gjigandi belg nuk po e ndjen veten mirë tek Çelsi. Një kritikë për të u bë nga trajneri i shquar italian, Fabio Kapelo, që tha se “Lukaku pati sukses me Konten sepse luante në kundërsulm, ndërsa në Angli nuk mund t’i mposhtë mbrojtësit kundërshtarë sepse ata janë fizikisht po aq të fortë sa edhe ai”.

Sfidanti.al