Juventusi “humb” fitoren në derbi, humb edhe lojtarë!

Treshja e sulmit nuk ia doli këtë herë përballë një rivali që luftoi me shpirt e me mendje deri në fund. Torino mori një barazim të merituar ndaj Juventusit në derbin e Serisë A, i merituar pikërisht për shkak të diferencës së madhe në cilësi të të dyja skuadrave, që “granatët” ia dolën ta anulonin. Qendërmbrojtësi holandez, De Ligt, shënoi për “Zonjën”, por “demi” Beloti barazoi për Torinon, duke përmbushur parashikimin e të vetëve që kishin thënë se “Beloti është Vlahoviçi ynë”. Për Alegrin, treshja Vlahoviç-Dibala-Morata këtë herë nuk e justifikoi veten. Barazimi 1-1 do të thotë se Juvja ka vetëm 3 pikë më shumë sesa Atalanta, që ka dy ndeshje më shumë për të luajtur, pra derbi ishte një hap prapa në garën për në Champions sezonin e ardhshëm. Për më tepër, ka një shqetësim për Championsin e tanishëm sepse përveç të dëmtuarve Kielini e Bonuçi, pësoi lëndim edhe Rugani në nxemje (i vetmi qendërmbrojtës i rolit), ndërsa në lojë e sipër u dëmtuan edhe Pelegrini me Dibalën. Të shohim nëse do të jenë gati për sfidën e Ligës së Kampionëve ndaj Vijarrealit të martën.

Sfidanti.al