Ish-kapiteni është një legjendë dhe fjalët e tij mund të ndikojnë në opinionin publik, apo edhe në humorin e lojtarëve, por nëse trajneri i skuadrës nis e zemërohet, atëherë i gjithë projekti teknik hidhet në erë. Kështu mund të jetë edhe për Bajernin e Mynihut, i cili është duke u “bombarduar” nga kritikat e Lotar Mateusit. Kampioni i botës tha se klubi gaboi me Zylen, ndërsa kritikoi Upamekanon dhe Lykas Hernandezin në mbrojtje. Salihamixhiçi u hodh në kundërsulm duke thënë se “nuk e vras mendjen se çfarë thotë Lotari”, veçse ky i fundit iu përgjigj se “Salihamixhiçi, Nagelsmani dhe Kimih pranuan se Bajerni luajti dobët në Bohum, edhe nëse ata i mbrojnë lojtarët, kjo nuk i bën ata më të mirë”. Gjithsesi, shqetësimi më i madh ka të bëjë me atë që mendon trajneri Julian Nagelsman. Thuhet se ai është i pakënaqur me “thellësinë” e skuadrës, se ka bërë disa kritika indirekte, ndonëse raportin me drejtuesin e ka të mirë. Kjo, gjithsesi, nuk do të thotë se ky raport i mirë do të vazhdojë gjithmonë.
Sfidanti.al