Vëmendja në fakt ishte e përqëndruar në krejt tjetër vend. Berat Gjimshiti luajti sfidën e parë me eleminim direkt në Ligën e Europës, atë mes Atalantës dhe Olimpiakosit grek, ndërsa 28-vjeçari mund të ketë të reja për të ardhmen. Interesimi i Interit të Milanos për qendërmbrojtësin e kombëtares shqiptare është gjithnjë e më këmbëngulës, ndërsa klubi zikaltër mund të humbasë njërin nga lojtarët më të mirë të repartit difensiv, De Vraj. Gjimshiti do të ishte zëvendësuesi i duhur për holandezin që pritet të largohet me parametër zero. Mediat italiane komentojnë se tek Interi vlerësojnë përvojën e shqiptarit që po luan sezonin e katërt me Atalantën në Serinë A, dhe që ka gjithashtu edhe eksperiencë në Champions ku ka luajtur për 3 vite me radhë duke arritur deri edhe çerekfinalet.
Kjo gjë vlen shumë për një ekip si Interi që prej shumë vitesh ka qenë larg Ligës së Kampionëve, diçka që ka ndikuar negativisht në dy sezonet e fundit kur është kthyer aty. Gjithsesi, nuk do të jetë e lehtë që Gjimshiti t’i shkëputet Atalantës, ndërsa kartoni i tij vlerësohet deri në 22 milionë euro. Interi, sidoqoftë, do të ketë një avantazh sepse kontrata e qendërmbrojtësit shqiptar përfundon në 2023, dhe nëse ai nuk pranon të rinovojë, Atalanta do të jetë e detyruar të pranojë transferimin në verë. Nga ana tjetër, klubi milanez mund t’i sigurojë 28-vjeçarit jo vetëm një futboll të nivelit më të lartë dhe mundësi për të fituar trofe, por edhe një pagë mjaft më të lartë sesa ajo që merr në Bergamo, dhe që arrin 1 milionë euro në sezon vetëm me shpërblimet.
Sfidanti.al