Arsen Venger mund të mos jetë trajner i Arsenalit në fund të këtij sezoni. Njëzetenjëvjet pasi u ul në stolin e “topçinjve”, francezi elegant duket se ka arritur në “metrat e fundit”, por kur e dëgjon të flasë kupton se pasioni i tij për futbollin ka mbetur po ai i fillimit. “Sezonin e ardhshëm unë do të jem sërish në rolin e trajnerit, – është shprehur veterani, – mbetet të shihet nëse do të jem tek Arsenali, apo diku tjetër”.
Kontrata e francezit përfundon në fund të edicionit, dhe përderisa ajo nuk është rinovuar deri tani, vështirë se kjo gjë do të ndodhë. Disfata 1-5 në Mynih ndaj Bajernit ia “minoi” edhe më shumë pozitat, ashtu si edhe dështimi për të fituar një tjetër titull kampion. Me 10 pikë larg Çelsit, kur duhen edhe 13 ndeshje deri në përfundim, gara për londinezët duket e përfunduar.
Venger do të kujtohet si një emër i madh në “Emirejts”, sido që të largohet, pasi ai fitoi tre tituj kampion, gjashtë Kupa të Anglisë dhe 6 Superkupa, ndërsa nuk ia ka dalë asnjëherë të fitojë një trofe europian, edhe pse arriti në finalen e Kupës UEFA në vitin 2000 dhe në finalen e Champioinsit në 2006, humbur ndaj Gallatasarajit dhe Barcelonës. Francezi 67-vjeçar mbahet mend për ndryshimin e stilit të lojës në Angli, për regjimin dhe dietën e re për futbollistët, veçse koha e sukseseve të tij ka mbetur 10 vjet prapa.
Sfidanti.al