Duket se beteja do të jetë e gjatë. Ashtu siç parashikohej kundërshtarët e presidentit të tanishëm të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, kanë zgjedhur gjykatat si vendin për të vazhduar betejën zgjedhore, dhe sot arritën një sukses. Shkalla e parë e gjykimit në rrethin e Tiranës vendosi të hidhte poshtë si të paligjshme Asamblenë e Shoqatës së Futbollit të Qarkut në kryeqytet, dhe të cilësonte të rregullt atë që pak më vonë u mbajt nën drejtimin e kryebashkiakut Erion Veliaj. Gjithçka ndodhi në 24 janar, kur në selinë e FSHF-së u mblodh në orën 15:00 një Asamble që zgjodhi Krenar Alihmehmetin si kryetar të shoqatës.
Në orën 19:00, në Parkun Olimpik ishte radha e mbledhjes tjetër, ku në qendër të tryezës udhëheqëse në sallë ishte pikërisht Veliaj, ndërsa pamjet filmike të hedhura në FB nga vetë kryebashkiaku, nuk janë të qarta sesa shoqata morën pjesë apo cilat ishin ato. Gjyqtari Arjan Aliaj vendosi të pranonte kërkesën e së bërë nga shoqata që zgjodhi kryetar Eduard Prodanin. Vendimi kundërshtoi ndryshimet e statutit të shoqatës që cilësohen ndryshime të rregullave të lojës në emergjencë ndërsa procesi ka nisur, ndërsa theksohet se kjo është thirrje për ndërgjegjësimin e shoqatave të tjera.
Vetë Federata nuk pati reagim të shpejtë. Në 14 shkurt priten 3 përfaqësues të UEFA-s në Tiranë, dhe burime në Federatë pohuan se ata do të merren edhe me këto vendime të gjykatave, që i quajnë të ndikuara nga politika. Pritet që FSHF ta ankimojë vendimin e gjykatës së Tiranës, ndërsa nuk dihet se çfarë do të bëhet me Asambletë e Shoqatave të qarqeve të tjera, mbledhje që përfunduan një ditë më parë me atë të Lezhës. E qartë është që do të ketë betejë ligjore, e cila me gjasë do ta bëjë të pamundur mbledhjen e Asamblesë Zgjedhore të Federatës në 2 mars.
Sfidanti.al