Ku do t’i gjejë Barcelona 230 milionë euro për Halandin?!

Ky sulmues është objektivi i madh, sado e vështirë që të jetë. Erling Haland nuk duhet të shkojë në asnjë mënyrë tek Reali, por përkundrazi të veshë fanelën e Barcelonës. Klubi katalanas ka vendosur të hidhet në sulm me të gjitha forcat për të marrë superyllin norvegjez të Dortmundit, ndërsa kartoni i tij arrin në 80 milionë euro. Presidenti Zhoan Laporta dhe trajneri Ksavi Hernandez kanë bërë disa përforcime në janar, si Adama Traoren, Ferran Torresin, Dani Alveshin apo Obamejangun, por Barçës i duhet një emër i madh. Edhe pse gjendja financiare e klubit nuk është aspak e mirë, sërish shpresat mbeten.

Klubi po negocion kontrata sponsorizimi për fanelën dhe për emrin e stadiumit “Kamp Nou”, që mund të sjellë 280 milionë euro në 3 vjet, ndërsa shpresohet që të ketë largime të tjera nga skuadra verën e ardhshme si Dembele apo Ymtiti. Halandi 21-vjeçar është lojtari më i kërkuar në tregun e futbollit pas sulmuesit të Paris SG, Kilian Mbape. Futbollisti i Dortmundit pëlqehet edhe nga Reali apo Mançester Siti, ndërsa Barcelona nuk do ta ketë të lehtë që të kënaqë edhe kërkesat e tij ekonomike, si dhe pretendimet e agjentit Raiola. Këto mund të arrijnë deri në 30 milionë euro në sezon për një periudhë 5-vjeçare, pra e gjithë paketa mund të arrinte në 230 milionë euro.

Sfidanti.al