Man. Junajtidi i Rangnikut ka harruar të fitojë, Championsi duket larg!

Në vetëm 4 ditë kjo skuadër nuk arriti të konkretizonte epërsinë që pati në lojë, duke mos marrë tri pikët. Herën e kaluar ishte eleminim nga Kupa e Anglisë, ndërsa këtë herë ishte një lloj “lamtumire” e pjesëshme dhe e parakohshme ndaj Ligës së Kampionëve. Mançester Junajtidi barazoi 1-1 në fushën e Bërnlit, një ndeshje që duhej ta kishte fituar për të mbetur seriozisht në pretendime për të qenë në katërshen e parë të renditjes së Premier Ligës. Edhe pse Pol Pogba shënoi që në fillim, Xhej Rodrigez barazoi për vendasit, dhe epërsia në statistika nuk vlejti. Junajtidi i trajnerit Rangnik mbajti topin 62 për qind, pati 12 gjuajtje drejt portës (5 Bërnli) dhe 6 në kuadrat (3), pati 10-2 goditjet nga këndi, por golat dolën 1-1. Në 68’ hyri në fushë edhe Kristiano Ronaldo, por që nuk mundi ta ndryshonte fatin e ndeshjes. “Ne ishim fantastikë në pjesën e parë, – tha trajneri Rangnik, – shënuam 3 herë, por dy na i anuluan. Pas pushimit, nuk ishim aq agresivë sa duhet”. Junajtidi ka 39 pikë në 23 ndeshje në vend të pestë, por Arsenali ka 36 pikë në 21 ndeshje e Totenhemi 36 pikë në 20 ndeshje.

Sfidanti.al