Interi lë pas tronditjen e derbit, mund Romën e ndoshta pret tjetër derbi në Kupë!

Pati dyshime sesi do të ndiheshin zikaltërit pas përmbysjes së papritur me Milanin që përfundoi me humbje. Gjithsesi, në vetëm 10 minutat e para në “San Siro” ndaj Romës u kuptua se asgjë nuk kishte ndikuar te kampionët e Italisë. Gol nga Xheko, raste, goditje shtyllë dhe presion i madh, kjo ishte mënyra sesi u prezantua Interi në çerekfinalen e Kupës së Italisë. Në fund fitoi 2-0 (goli i dytë nga Aleksis Sançez), edhe pse për shumë minuta nuk e pati të lehtë, për shkak të reagimit të skuadrës së Zhoze Murinjos. Trajneri portugez e aktivizoi në pjesën e dytë mbrojtësin e kombëtares shqiptare, Marash Kumbulla, pas dëmtimit të Ibanjezit. Gjithsesi, triumfi ishte i merituar, pavarësisht 4 ndryshimeve në formacion të trajnerit Simone Inzagi, që u qetësua nga paraqitja e të vetëve, por u shqetësua nga dëmtimi i Bastonit. Mbrojtësi nuk luan ndaj Napolit në Serinë A për shkak pezullimi, por dëmtimi e rrezikon edhe ndaj Liverpulit. Kundër Napolit, do të ketë pezullime edhe të Darmianit dhe të Inzagit për kartonët që morën në derbi. Pritet sot, Milan-Lacio për të parë nëse në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë do të kemi sërish derbi.

Sfidanti.al