Gjithë bota po flet për një konflikt të mundshëm në terren, në stepat dhe kodrat ukrainase, ndonëse Rusia e hedh poshtë me forcë këtë gjë. Gjithsesi, ndodh apo jo një luftë mes dy ushtrive, e sigurt është që do të ketë një betejë në parket mes dy ekipeve kombëtare të tyre. Rusia dhe Ukraina do të ndeshen në gjysmëfinalet e Kampionatit Europian të futbollit në sallë (futsal) në Holandë, këtë të premte. Kjo, pasi rusët eleminuan Gjeorgjinë (3-1) dhe ukrainasit mundën Kazakistanin (5-3) në çerekfinale.
Ukraina është dy herë nënkampione e Europës, në 2001 e në 2003, si dhe ka dalë e katërta nga një herë edhe në Europian, edhe në Botëror. Trajneri Genadij Lisençuk e ka të qartë se do ta ketë të vështirë në Arenën e Amsterdamit. Rusia ka dalë kampione e Europës në 1999, ka dalë 5 herë nënkampione (për herë të fundit në 2016), dhe doli e treta (medalje bronzi) në 2018. Po ashtu, rusët janë një herë nënkampione të botës, një herë të tretët, dy herë të katërtët, dhe dy herë kanë arritur në çerekfinale në botërorë. Kryetrajneri Sergej Skoroviç ka në ekip, përveç lojtarëve ruse, edhe tre brazilianë të natyralizuar si Romulo, Eder Lima dhe Robinjo.
Sfidanti.al