Kur ia del pa shumë stërmundim edhe ndaj njërës prej skuadrave më të mira, atëherë je padyshim pretendente për titull. Feniks Sansët arritën fitoren e 11-të radhazi në sezonin e rregullt në NBA, duke mbajtur fort pozicionin si më të mirët e edicionit deri tani, dhe suksesi 121-111 nuk ishte ndaj ndonjë rivali dosido, por kundër Bruklin Netsave. Edhe pse miqtë nuk kishin Kevin Durantin, sërish në fushë u paraqitën Xhejms Harden, Kajri Irving apo Pati Mills, dhe në stol ishte veterani Blejk Grifin. Asgjë nuk bëri punë, ndërsa Harden gaboi shumë në gjuajtje (disi më mirë Irving) në Arenën e Feniksit. Për skuadrën nga Arizona shkëlqeu Devin Buker me 35 pikë, por sidomos Kris Pol me 20 pikë e 14 asistë si dhe 2 vjedhje topi. Deandre Ajton ishte pak “i urtë” me vetëm 12 pikë, por Majkëll Brixhs shtoi 27 pikë. “Ne kemi një skuadër të kompletuar, – thotë Kris Pol, – nuk mund të fitosh vetëm me 1 apo 2 lojtarë. Kjo na bën të fortë, kur kundërshtarët merren me mua apo me Bukerin, të tjerët na ndihmojnë”. Feniksi ka 41 fitore e 9 humbje, 4 më pak sesa Golden Stejti që është ndjekësi më i afërt. Vjet u humb finalja ndaj Miluokit, por këtë vit duket se mund të arrihet titulli.
Sfidanti.al