Është një superfuqi, por shpesh zhgënjen. Paris SG nuk po arrin të ketë një dominim të plotë në Francë, siç i takon për epërsinë dërrmuese ndaj rivalëve, dhe ja ku erdhi një goditje. Pasi humbi vjet titullin ndaj Lilës, PSG u eleminua nga Kupa e Francës përballë Nisës. Trajneri Poçetino e nisi ndeshjen me disa lojtarë të fortë si Mesin, Donarumën apo Verratin, ndërsa në 64’ hodhi në fushë edhe Mbapenë. Sërish gol nuk pati, dhe tek penalltitë, parizienët i tradhëtuan nervat. “Një zhgënjim i madh, – tha Poçetino më pas, – ne nuk bëmë atë që duhej për të fituar, edhe pse ishim më të mirë se Nisa nëse shikon ndeshjen. Duhej të kishim qenë më shumë efikasë në 5 metrat e fundit. Mbapenë e aktivizova pas pushimit sepse kishte probleme fizike. Le të mbetemi optimistë, pasi kemi kampionatin dhe Championsin”.
Nuk ishte ndonjë rrufe në qiell të pastër, pasi Nisa është paraqitur shumë mirë deri tani në kampionatin francez, në vend të dytë, duke lënë pas skuadra të shquara si Marsejën, Monakon apo Lionin, edhe pse është 11 pikë prapa PSG-së. Trajneri Kristof Galtie u pyet nëse mund të fitohen trofe. “Ne do të luftojmë për ta fituar Kupën, – tha njeriu që fitoi titullin në kampionat vjet me Lilën, – por gjithsesi do të kemi përballë një rival si Marsejën, madje përpara do të duhet të mendojmë për ndeshjen e kampionatit me Klermonin. Arritëm një sukses të madh”. Ndryshe nga entuziazmi i Nisës, tek Paris SG ka dëshpërim. Kryeqytetasit shkojnë pa moralin e duhur në sfidën e Championsit ndaj Realit, ndërsa në duelin e parë mungon Sergio Ramos, e nuk është i sigurt as Nejmar.
Sfidanti.al