Gara për FSHF-në: Shkelja e ligjit e tallja me akuzat, “kalë beteje” për të gjithë!

Lufta për kreun e FSHF-së këtë vit është katandisur për të thënë “ku ta kapësh e ku ta lesh”. Në një krah janë akuzat për shitje ndeshjesh, pastrim parash, shpërdorim të fondeve të UEFA-s, e shumë të tjera (po kufizohemi vetëm me ato për futbollin), ndërsa në anën tjetër është ndërhyrja e pashmangshme e politikës në sport, rrugaçëria e politikanëve (si zotër të vetëm e të pandëshkueshëm të këtij vendi), dhe shfaqja totalitare e tyre për të përdorur sistemin e drejtësisë.

Ka kaq shumë vjet që flitet për trukim ndeshjesh, deri edhe ato ku vishet fanela kuqezi, dhe për dirigjim të kampionatit, për skuadra që janë të “nënës” e të “njerkës”. Partizani në luftën për kreun, dhe Kamza në betejën për mbijetesën e dinë mirë se ç’kanë provuar në kurriz. Gjithsesi, do të mjaftonte vetëm fjala “magjike”, që ka lidhje me politikën e me votat, që gjithçka të ndryshonte, që akuzat të futeshin në sirtar dhe jo SPAK-u e prokuroria “e zakonshme”, por edhe “rrufetë” e FBI-së e DEA-s amerikane do të mbeteshin në gjysmë të rrugës. Ose kjo ka të bëjë me zgjedhjet e ardhshme politike, ose me milionat që “milen” nga “lopa” me emrin futboll, ose janë të dyja bashkë.

Kush e harron kohën e “Klanit të Zemunit” me protagonist ish-kryeministrin Berisha dhe ministrant e tij Leskaj Pango. Aq shumë u akuzua saqë Revista “Klan” atëherë tallej në faqen e fundit, duke i vënë Agron Dukës në gojë fjalët, “unë nuk di të kemi ndonjë Zenun në fis”. Ato akuza për drogën, Zemunin e çdo të zezë tjetër u harruan kur Agron Duka u kthye nga ministër i Ramës në opozitar i krahut të djathtë, dhe sot e kësaj dite Berisha me të vetët i ka dalë në krah për ta mbrojtur nga armiku i ditës, Erion Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës, ndërkaq, tregoi papritur një “fytyrë” që nuk ia kishim njohur, me fjalorin e përdorur në takimin e përgjuar me pjesëtarë të shoqatës së futbollit të kryeqytetit, duke ofenduar pa teklif një personalitet të topkëmbës e të klubit bardheblu si Sulejman Mema. Në një shtet normal, kjo do të kishte qenë baraz me dorëheqje! Po ashtu, ndërhyrja e hapur në punët e futbollit, me kërcënime e me përbetime se do të përdorte SPAK-un! Jo vetëm kaq, por zoti Veliaj është vetë në shkelje të ligjit me 34 për qind të aksioneve tek Tirana. Që në korrik 2021 ka hyrë në fuqi ligji që detyron pushtetin vendor të mos ketë aksione, dhe të mos financojë klube, përveçse me projekte. Për më tepër, Veliaj dhe PS ishin shumë dakord me Asamblenë e KOKSH-it që pati shkelje për të “ulëritur”, ndërsa tani i janë vënë me “bukë në trastë” futbollit. Megjithatë, e thamë më lart, mjafton një fjalë magjike që armiqtë për vdekje të bëhen “krushq”!

Sfidanti.al