Në fund të ndeshjes, mënyra sesi foli nuk tregoi një trajner që qortonte ekipin e tij që nuk fitoi një ndeshje që duhej fituar. Ose që të paktën duhej të kishte bërë më shumë për t’ia dalë mbanë. Stefano Pioli, “dashnori” i lojës së bukur, për një herë në karrierë vendosi të ishte një italian tradicional dhe komentoi me një gjysmë kënaqësie barazimin pa shije, 0-0, ndaj Juventusit në Serinë A. “Bëmë ndeshjen e duhur për momentin që po kalojmë dhe për kundërshtarin që patëm përballë, – tha Pioli, – nuk i lejuam asgjë Juventusit. Lojtarët ishin të vëmendshëm dhe të vendosur ndaj një rivali të tillë. Juventusi është një skuadër e fortë, dhe për ne gota është gjysmë bosh jo për këtë ndeshje, por për pikët e lëna ndaj Specias. Tani na duhet të fitojmë derbin për të mbetur pranë Interit”. Milani është në vend të dytë në Serinë A me 49 pikë ndaj 53 të zikaltërve që kanë një ndeshje më shumë për të luajtur.
Sfidanti.al