Balliu duhet të ketë kujdes nga shkëlqimi në Spanjë, ç’ndodh me kombëtaren?!

Mbrojtësi shqiptar ishte protagonist i madh një ditë më parë në La Ligën e Spanjës, në një nga dy kampionatet  më të fortë të botës për momentin, duke shënuar golin e barazimit për Rajo Vajekanon ndaj Betisit. Pasi u shpreh pas ndeshjes se “jam i lumtur për golin e parë, dhe për faktin se fusha jonë vazhdon të jetë e pathyer”, ai premtoi të vazhdonte të luante kështu. Balliu ka qenë gjatë gjithë sezonit një titullar në krah të mbrojtjes së Vajekanos, një ekipi që po paraqitet shumë mirë këtë sezon dhe që nuk është larg zonës së Europës, pavarësisht potencialit modest. Gjithsesi, Balliu nuk ka qenë shumë i preferuar nga trajneri Edi Reja në kombëtaren shqiptare, madje herën e fundit nuk ishte në listë edhe pse vazhdonte të ishte titullar në La Liga. Ndoshta, ai duhet të mësojë që të mos shkëlqejë aq shumë sa Armando Broja sepse mund të marrë kritika si njeri që nuk di të shkrihet me grupin në kombëtare, ndonëse që të dy dinë të shkrihen shumë mirë me grupin në ekipet e tyre në La Liga dhe Premier Ligë.

Sfidanti.al