Nuk po nxitohen, ndërsa po punojnë në dy pista. Tek Partizani e kanë marrë me qetësi gjetjen e trajnerit të ri, ndërsa kampionati rikthehet në mesin e muajit janar. Drejtuesit kryeqytetas janë të dyzuar nës mes emërimit të Dritan Mehmetit dhe një tekniku të huaj. Mehmeti ka biseduar me presidentin Demi dhe gjasat janë që të emërohet, ndërsa ka kërkuar si ndihmës Erion Xhafën, ish-ndihmësin e Ardian Memës dhe të Egbosë tek Tirana, aktualisht trajner i ekipit U19 tek Dinamo. Sipas burimeve tek Partizani, dëshira është gjithashtu për një trajner të huaj, ndërsa vitet e kaluara, të kuqtë kanë provuar pa sukses italianë të ndryshëm si Juliano, Lerda apo Sormani. Në të vërtetë, në Shqipëri ka një numër trajnerësh të njohur si Ernest Gjoka, Shpëtim Duro apo Skënder Gega, sa për të përmendur disa emra, por duket se tek Partizani mendojnë ndryshe. Klubi kryeqytetas arriti pak ditë më parë marrëveshjen për largimin e trajnerit Ilir Daja, diçka që ndodhi pas humbjes në derbin me Tiranën. Gjatë gjysmës së parë të sezonit, ekipi ka qenë një zhgënjim me vetëm 18 pikë në 15 ndeshje, duke qenë në vendin e 5-të, pra në mesin e renditjes, plot 15 pikë larg Tiranës kryesuese. Me këtë ecuri, Partizani rrezikon edhe kualifikimin në kupat e Europës sezonin e ardhshëm, ndërsa nuk bëhet fjalë për të luftuar për titullin.
Sfidanti.al