Derbi kryqytetas për Sherif Kallakun, nuk dihet nëse fiton Tirana apo Partizani!

Para dy sezonesh ishte një zbulim i madh. Sherif Kallaku mbetet sërish një shpresë në futbollin shqiptar, ndaj edhe për shërbimet e tij mësohet se po bëjnë një derbi Tirana e Partizani. Pasi luajtën në fushë dy ditë më parë, dhe bardheblutë fituan 2-1, tashmë sfida është zhvendosur në tregun e futbollit. Kallaku u largua nga Teuta pasi luajti fazën e parë në skuadrën durrsake, siç edhe e konfirmoi klubi me mesazhin e tij në botuar në FB. Gjatë këtyre muajve nuk u pa potenciali i tij i vërtetë, pasi shënoi vetëm 1 gol në 15 ndeshje që luajti, atë ndaj Egnatias në Rrogozhinë, por gjithsesi ish-lojtari i Shpresave mbetet një vlerë e rëndësishme.

Nuk dihet nëse ai do të pranojë të luajë në Superligën shqiptare apo do të kalojë në Ligën e Parë të Kroacisë, pasi kartonin e tij e ka Lokomotiva e Zagrebit. Kallaku luajti sezonin e kaluar në elitën e Kroacisë duke shënuar edhe gola, ndonëse në verë u kthye tek Teuta në formë huazimi. Me gjasë, 23-vjeçari do të provojë sërish të luajë në Shqipëri, me njërin nga klubet e kryeqytetit, për t’u kthyer tek forma që pati në edicionin 2019-2020. Në radhët e Teutës, ai ishte zbulimi i kampionatit duke shënuar 15 gola, madje edhe trajneri Edi Reja e provoi në kombëtare.

Sfidanti.al