Nuk u arrit fitorja dhe katërshja e parë e renditjes së La Ligës mbetet ende një mirazh, por duket se diçka po ndryshon. Barcelona që barazoi 1-1 në stadiumin e Seviljes nuk ishte ajo skuadra e pashpresë që u pa në dy përballjet me Bajernin apo edhe me Benfikën, veçse një ekip shumë më luftarak, i bashkuar dhe me besim në veten e saj. Trajneri Ksavi Hernandez u shpreh më pas se “kjo Barcelonë më ngjan me atë që dua të shoh”. Ish-ylli i mesfushës po u jep dorë të rinjte, talenteve që pritet ta ngrenë ekipin atje ku e meriton dhe në Sevilje luajtën Arauho, Erik Garsia, Gavi, De Jong, Dembele, Zhutgla, Abde apo edhe Niko Gonzales.
Sërish Gavi tregoi personalitet të madh aq sa mediat e Madridit shkruajtën se “ishte për t’i hequr kapelen”. Ronald Arauho barazoi në 45’ pasi vendasit kishin kaluar në epërsi me golin e ish-lojtarit të Atalantës, Papu Gomez. Në 64’, Konde i Seviljes doli me të kuqe dhe katalanasit bënë më shumë presion. Gavi dhe Dembele patën raste për gol, por nuk u arrit fitorja. Gjithsesi, ky ekip u tregua i fortë ndaj njërit prej ekipeve më të fortë të La Ligës, ndaj të paktën kualifikimin në Champions mund ta arrijë, sidomos pasi t’i kthehen të dëmtuarit si Pedri apo Ansu Fati.
Sfidanti.al