Lebroni sërish është i madh, por Feniksi i Bukerit është numri 1 në NBA

Përballja ishte në “Stejpëll Sentër” dhe u kuptua sërish se kjo skuadër për momentin nuk ka rivalë në basketbollin amerikan. Është folur shumë për Golden Stejtin dhe Stefën Kërrin, por i duhen dhënë “haku” Feniks Sansëve dhe yllit të tyre të ri, Devin Buker, që po zhvillojnë një sezon të shkëlqyer. Fitorja në Los Anxhelos ndaj Lejkërsave, 108-90, përballë një Lebron Xhejmsi si gjithmonë shumë të mirë, tregoi se ekipi nga Arizona është në një nivel tjetër. Buker më në fund ka lënë pas një dëmtim muskulor në këmbë dhe shënoi 24 pikë në 32 minuta, kapi 9 topa në tabela e shërbeu 7 asistë duke ndihmuar ekipin në sulm e në mbrojtje. Krah tij edhe Deandre Ajton që shënoi 19 pikë e kapi 11 topa në tabela. Lebroni shënoi 34 pikë duke qenë më i miri në parket, si dhe kapi 7 topa në tabela, por pati vetëm 2 asistë dhe 2 vjedhje topi. Feniksi kryeson në Perëndim duke qenë ekipi më i mirë në NBA me 25 fitore e 5 humbje, ndërsa Lejkërsat kanë zbritur në vendin e 7-të po në Perëndim me 16 fitore e 16 humbje.

Sfidanti.al