Një gjigand nuk dorëzohet lehtë, edhe kur nuk arrin të fitojë titullin kampion. Juventusi është një ekip i tillë që do të luftojë deri në fund të paktën për kualifikimin në zonën Champions, në mos edhe për më shumë. Viti 2021 u mbyll me një fitore normale 2-0 ndaj Kaljarit, por tepër të rëndësishme, me gola të shënuar nga Moise Kean dhe Federiko Bernardeski në minutat 40-të e 83-të. Fitorja u arrit me lojë më të mirë se zakonisht, me dominim në zotërim topim (65 për qind), me gjuajtjet 9-4 dhe kornet 7-1. Ky sukses në “Stadium”, shoqëruar me ndalesën e Atalantës, 0-0, në “Marasi” ndaj Xhenoas, bëri që Juventusi të afrohej në 4 pikë largësi me bergamaskët. Atalanta ka 38 pikë, ndërsa bardhezinjtë kanë 34, e për momentin “Zonja e Vjetër” ka lënë 3 pikë prapa Romën e Fiorentinën, që ende kanë për t’i luajtur ndeshjet e tyre.
Sfidanti.al