PSG, Mesi paska bërë “armiq” Nejmarin me Mbapenë!

Një tjetër raport nga Franca tregon se gjendja tek Paris SG nuk është aspak e mirë. Është sërish e përditshmja “L’Ekip” që informon se në dhomën e zhveshjes së parizienëve nuk fryn “erë e mbarë”. Sipas këtij raporti, ardhja e Lionel Mesit ka krijuar një problem të madh në skuadrën që kryeson ligën franceze. Argjentinasi ka ndryshuar ekuilibrat në dhomën e zhveshjes duke bërë që të ndryshojë partneriteti mes Kilian Mbapesë dhe Nejmarit. Braziliani, sipas gazetës, është afruar më shumë me ish-shokun tek Barcelona, duke e lënë më të mënjanuar kampionin e botës. Në një moment, kamerat kapën madje protestën e Mbapesë ndaj Nejmarit në ndeshjen ndaj Monpeljesë, duke pretenduar se nuk ia pason topin. Nuk dihet sesa do të ndikojë kjo në sezonin e parizienëve, ndërsa mund të jetë një arsye më shumë për 23-vjeçarin që të kalojë tek Reali i Madridit verën e ardhshme.

Sfidanti.al