Partizani vazhdon “vetëshkatërrimin”, 8-10 pikë të humbura nga dhuratat!

Dita duket që në mëngjes. Kështu thotë shprehja e urtë popullore, dhe për Partizanin u kuptua që në fillim sesa i keq do të ishte sezoni. Pavarësisht sesi përfundon, deri në gjysmë të rrugës të kuqtë i kanë prishur punë vetes ashtu siç nuk ka mundur të bëjë asnjë ekip tjetër i Abisnet Superligës. Gafat e gabimet kanë qenë radhazi, duke nisur që në javën e parë ndaj Teutës me kapitenin Hoxha.

Pastaj për të vazhduar në të dytën me mbrojtësin Damçevski dhe Hoxhën, por për të mos u ndalur më tej. Herë portierët, herë mbrojtësi, por edhe mesfushorët kanë bërë gabime që kanë shkaktuar gola të falur, apo edhe që e kanë kapur në befasi ekipin. Pas atyre që ndodhën në ndeshjet ndaj durrsakëve, korçarëve, Dinamos apo Egnatias, gafat u kthyen sërish. Kundër Skënderbeut në “Arenën Air Albania” u fitua vetëm me fat kur portieri Teqja priti penalltinë në fund, ndërsa të kuqtë bënë dy gabime radhazi në golin e barazimit të korçarëve, fillimisht nga Rrapaj në mesfushë e pastaj me daljen e gabuar të portierit.

Kulmi ishte ndaj Kukësit, kur edhe pse ishte në avantazh, edhe pse po kontrollonte ndeshjen, pasiviteti i shumë lojtarëve bëri që Taipi të depërtonte i vetëm në zonë e të shënonte. Më herët ishte shkaktuar autogol nga Musta. Nëse llogarit gabimet, Partizani mund të ketë humbur 8 deri në 10 pikë, pra nëse nuk do të kishte bërë “vetëvrasje”, do të ishte në garë për titullin.

Sfidanti.al