Kthimi i tij në “Stemford Brixh” duket i paracaktuar. Armando Broja pritet të ketë vendin e tij tek Çelsi i Londrës duke nisur që nga sezoni i ardhshëm, dhe niveli që po tregon mund t’i kursejë shumë kampionëve të Europës. Shumë nga mediat angleze dhe nga tifozët mendojnë se trajneri Tomas Tuhel mund të verë bast pikërisht mbi sulmuesin shqiptar, dhe jo të kërkojë yje të shtrenjtë në tregun e futbollit. Një alternativë gjithmonë është Erling Haland, gjigandi norvegjez që pritet të largohet sezonin e ardhshëm nga Dortmundi. Edhe Çelsi është i interesuar për 21-vjeçarin që ka klauzolë 75 milionë euro, por që do të kërkonte një rrogë të jashtëzakonshme.
Me Brojën gjërat janë ndryshe, pasi ai është pikërisht lojtar i londinezëve, dhe nuk do t’i kushtonte asgjë përveç rrogës, të cilën aktualisht nuk e ka më shumë se 400 000 paundë stërlina në vit, aq sa Halandi do t’i kërkonte në javë. Me 6 gola këtë sezon në 15 ndeshje, shumë prej të cilave jo titullar, ylli i kombëtares shqiptare është ndër më të dalluarit. Ai është 20-vjeçari më i mirë bashkë me sulmuesin e Mançester Junajtidit, Mejzën Grinvud. Po ashtu, ai po tregon rritje pas çdo ndeshjeje që kalon, po fiton besim se mund të jetë protagonist i madhe dhe në ligën më të fortë të botës.
Sfidanti.al