Perfeksionisti Guardiola, i pakënaqur nga Siti as pas fitores 4-0

Në fundin e viteve 80-të ishte një trajner i madh i volejbollit të femrave, Valeri Karpol, i cili drejtonte Uraloçkën e Sverdlovskit (sot Jekaterinburg) dhe ekipin përfaqësues të Bashkimit Sovjetik. Edhe pse Uraloçka dilte kampione e BRSS-së dhe e Europës, edhe pse sovjetiket fitonin kampionatet europiane, botërore, si dhe Lojrat Olimpike në 1980 e 1988, sërish Karpoli vazhdimisht ishte i pakënaqur dhe vazhdimisht i bërtiste dhe i qortonte vajzat e tij. Ato ishin mësuar ashtu dhe nuk i jepnin rëndësi pasi sado që të fitonin, sërish trajneri do t’u bërtiste.

Kështu si Karpoli i dikurshëm është bërë trajneri i Mançester Sitit, Pep Guardiola, edhe pse ai nuk u bërtet lojtarëve të tij. Pepi ishte i pakënaqur pas ndeshjes së fundit në Premier Ligë, edhe pse ajo u fitua 4-0 në fushën e Njukasëllit. “Si rezultat ishte i shkëlqyer, – deklaroi trajneri katalanas, – por, loja në të vërtetë nuk ishte e mirë. Sidomos pjesa e parë ishte një nga më të dobëtat që kemi luajtur ndonjëherë. Cilësia e lojtarëve tanë bëri diferencën, por nuk është kjo mënyra sesi duhet të luajmë”. Siti vendosi 3 rekorde të Premier Ligës angleze pas asaj fitoreje, por as këto nuk e kënaqën Guardiolën.

Sfidanti.al