Reali nuk bëri mirë që “mori një sy gjumë” ndaj Kadisit!

Është padyshim skuadra më e mirë deri tani në La Liga, dhe një nga kandidatet për titullin në Champions, por gjithsesi në Spanjë nuk ka ndonjë epërsi kaq të sigurt për të ulur përqëndrimin. Reali i Madridit u duk me “disa marshe më pak” se zakonisht në ndeshjen e radhës, barazimin 0-0 në “Santiago Bernabeu” ndaj Kadisit që ndodhet në vendet e fundit të renditjes me fare pak pikë. Edhe pse “merengesit” mbajtën topin ndoshta 83 për qind dhe patën epërsi dërrmuese, nuk arritën të gjenin golin.

“Reali u ndal nga një mur”, shkruan “Marka”, që thekson se “Hazari është një mision i pamundur” dhe që “pikërisht për ndeshje të tilla Realit i duhet një si Halandi”. Skuadra e trajnerit Karlo Ançeloti ishte pa 6 lojtarë të goditur nga Kovidi, por patën aq talent sa për të fituar, por duket se “ia futën gjumit”. Nuk ishte momenti më i mirë për ta bërë këtë ndërsa Sevilja ka vetëm 6 pikë më pak në renditje dhe ka një ndeshje më shumë për të luajtur, edhe pse ndaj Barcelonës. Ançeloti nuk deshi të bënte shumë alarm dhe të kritikonte, dhe u mjaftua të thoshte se “duhet të ruajmë qetësinë, këto janë gjëra që ndodhin”. Italiani vlerësoi lojën e Hazarit pas pushimit dhe shtoi se “barazimi 0-0 ishte më shumë meritë e Kadisit, sesa faji ynë”.

Sfidanti.al