Katari bën lëmsh Asamblenë e Bajernit, thirrje “presidenti jashtë”!

Klubi gjerman u detyrua t’u shkruante anëtarëve të tij për t’i respektuar, për t’i informuar dhe për t’i marrë me të mirë. Disa ditë më parë Bajerni u trondit nga ato që ndodhën në Asamblenë vjetore, ku çështja më “e nxehtë” ishte ajo e lidhjeve të forta financiare që bavarezët kanë me Katarin, vendin organizator të Kupës së Botës. Kritikat nga disa anëtarë ishin tepër të ashpra duke theksuar se nuk mund të kishte lidhje kaq të forta me një vend që akuzohet rëndshëm për shkelje të të drejtave të njeriut, dhe sidomos lidhur me punëtorët që ndërtojnë infrastrukturën e Botërorit. Kaq e rëndë u bë situata saqë presidenti Herber Hajner u largua, ndërsa në sallë shpërthyen thirrjet “Jashtë Hajneri”. Drejtuesit u mbrojtën duke thënë se nuk mund të votonin një rezolutë për diçka që u quajt e padrejtë nga gjykata rajonale për arsye ligjore. Gjithsesi, sqarimi më i drejtë duhej të ishte ky: Ne nuk mund të mos i marrim paratë e Katarit, sepse ato para mund t’i marrin rivalët tanë për të na konkurruar më lehtë”. Në fund të fundit, biznesi nuk ka ndjenja, por njeh vetëm interesin.

Sfidanti.al