Në Itali, humbjen e Juventusit e quajnë “tragjike” dhe historike!

Fjalën e parë e nxorri nga goja portieri Shezni, ndërsa të dytën e “farkëtuan” mediat. Nuk mund të cilësohet ndryshe disfata e Juventusit në fushën e Çelsit me shifrat 0-4, ndaj edhe Shezni tha “një ndeshje tragjike” dhe gazetat shtuan “një humbje historike”. Kishte 17 vjet që “Zonja e Vjetër” nuk merrte 4 gola diferencë, që nga humbja 0-4 me Romën në “Olimpiko” në Serinë A, ndërsa në Europë nuk ndodhte prej 21 vitesh në Kupën UEFA ndaj Seltës së Vigos. Një ekip anglez që i shënonte 4 gola kishte ndodhur për herë të fundit 12 vjet më parë, me Fulhamin në Ligën e Europës (1-4), ndërsa 21 gjuajtje drejt portës nuk i pësonte prej 3 vjetësh. Të përditshmet italiane theksuan se disfata është e zezë jo vetëm për rezultatin, por edhe sepse Juventusi nuk luajti futboll, duke treguar një diferencë të madhe niveli me më të mirët e Europës, diferencë që erdhi duke u shtuar sa më shumë kalonin minutat. Edhe vetë stili i punës së trajnerit Alegri është vënë sërish në dyshim.

Sfidanti.al