Goli i parë do të vinte, Mesi “e lag” më në fund në Francë për PSG-në!

Është një ngjarje, ndonëse një rrjetë zakonisht quhet “pako gjë”. Gjithsesi, jo kur atë e shënon Lionel Mesi dhe kur është goli i parë i superyllit argjentinas në një kampionat tjetër nga ai spanjoll, dhe me një fanelë tjetër nga ajo e Barcelonës. Në mbrëmjen e debutimit të Ksavi Hernandezit, “shokut të tij të armëve”, në stolin katalanas, Mesi i dërgoi një përshëndetje nga larg, ashtu siç di ai, me një realizim prej mjeshtri. Ishte minuta e 87-të dhe Paris SG po vuante në “Parkun e Princave” duke fituar 2-1 me një lojtar më pak ndaj Nantës, kur magjistari i topit gjeti hapësirën nga jashtë zone dhe i dha efektin topit për ta dërguar në portën mike. Fitorja u vulos dhe për Mesin janë tani 4 gola për PSG-në, bashkë me 3 në grupet e Championsit. Parizienët kaluan në epërsi më golin e rastësishëm të Kilian Mbapesë pasi ai devijoi gjuajtjen nga larg të Leandro Paredesit, por Nanta barazoi me Muanin. Ekipi i trajnerit Poçetino mbeti me 10 lojtarë kur Kejlor Navas doli me të kuq, por një autogol i Denis Apiasë i dha sërish epërsinë vendasve, përpara sesa Mesi të vuloste. Kryeqytetasit i patën të 3 yjet e sulmit në fushë (Mesi, Nejmar, Mbape), por sërish nuk bindën plotësisht, ndonëse aktualisht janë 13 pikë para vendit të dytë. Në mesjavë në Champions luhet ndeshja e madhe në fushën e Mançester Sitit.

Sfidanti.al