Sarri-Alegri, “përplasje” me deklarata pas betejës në “Olimpiko”

Nuk ishte një ndeshje e bukur në kryeqytet, pavarësisht se të dy trajnerët “i hodhën sheqer” lojës së skuadrave të tyre. Mauricio Sarri i Lacios dhe Masimiliano Alegri i Juventusit patën mendime të ndryshme për “Betejën e Olimpikos” ku bardhezinjtë fituan 2-0 duke u barazuar me pikë me lacialët në renditjen e Serisë A. “Penallti të tilla si ajo që u dha për Moratën në pjesën e parë, jepen vetëm në Itali, – tha Sarri, – janë ato penallti për të cilat flet Gasperini (trajneri i Atalantës). Përveç penalltisë, gjykimi nuk më pëlqeu. Ne luajtëm mirë, në momente të caktuara shumë mirë, për 30 minuta në pjesën e dytë Juvja as nuk doli dot në kundërsulm, por është e vështirë të luash pa një lojtar që shënon 35-40 gola në sezon (Imobile)”.

Po Alegri? “Ne luajtëm një ndeshje të bukur (!!!), – tha tekniku juventin, – problemi i vetëm ishte që humbëm shumë raste. U treguam të zotët deri sa arrinim në zonën e Lacios, por aty gabonim. Realizuam shumë gjuajtje, patëm shumë raste, dhe nuk u lejuam atyre asgjë. Duhet të dimë të zotërojmë topin dhe të përballojmë momentet me vuajtje. Asnjëherë nuk ka fitore të lehta, duhet luftuar shumë, duhet shumë respekt për kundërshtarin. Kemi humbur pikë me ekipet e vogla dhe të mesme sepse nuk kemi pasur përqëndrimin e duhur”.

Sfidanti.al