Kjo skuadër ka ditur të bëjë gjëra të mëdha, si suksesi 5-0 në “Old Traford”, apo triumfi në Champions në fushën e Atletikos së Madridit, si edhe të ndalet në shtëpi 1-1 nga Çelsi e 2-2 nga Mançester Siti. Liverpuli i këtij sezoni nuk është aspak në rënie të lirë siç ndodhi vjet, por as nuk është “ruli shtypës” i edicionit 2019-2020 kur i dha fund pritjes 30-vjeçare për një titull. Një ekip “kripë-mjaltëz”, siç thuhet ndonjëherë.
Humbja 1-3 në fushën e Uest Hemit ngriti dyshime për aftësinë të kuqve për të mbajtur ritmin e Çelsit, por triumfi 4-0 ndaj Arsenalit këtë të shtunë e shtoi optimizmin. Skuadra e trajnerit Jurgen Klop, pas një pjese të parë të ashpër e të vështirë, “përmbyti” gjithçka pas pushimit. Sadio Mane, Diogo Zhota, Mohamed Sala dhe Takumi Minamino shënuan golat në “Anfildin” e mbushur plot, që u trondit jo pak nga sherri verbal Arteta-Klop.
Fitorja, sidoqoftë ishte e merituar, me 63 për qind zotërim topi, me 19 gjuajtje drejt portës (5 Arsenali) dhe 9 në kuadrat (3) dhe me kornet 6-1. “Një rezultat impresiv, – tha Klopi, – ne duhej të reagonim pas humbjes me Uest Hemit, por fillimisht nuk ishte e lehtë, edhe pse e fituam 1-0 pjesën e parë. Duhej të ndryshonim dhe ia dolëm ta bënim, duke e kontrolluar ndeshjen pas pushimit. Një paraqitje shumë e pjekur, me nivel shumë të lartë, gola shumë të bukur dhe kundër-presing të fortë”.
Sfidanti.al