Një xhiro ultra e shpejtë dhe vendi i parë në provat zyrtare u sigurua. Debati nëse makina e tij Mercedes është brenda kufijve të rregullores apo jo do të vazhdojë, por për momentin gjithçka është e lejueshme dhe Ljuis Hamilton po “fluturon”. Ai mundi rivalin për titull në Formula 1, Maks Verstapen, njëkohësisht kryesuesin e renditjes së Botërorit, duke e lënë 4 të dhjetat prapa (455 të mijtat), ndonëse gara pritet sërish e fortë në Çmimin e Madh të Katarit këtë të diel. Holandezi i Red Bullit mund të pretendojë një nisje më të mirë sesa anglezi, ndërsa gara ka treguar se mund të jetë ndryshe nga provat.
Gjithsesi, Hamiltoni ka edhe një ndihmë shtesë përveç shpejtësisë më të madhe. Piloti tjetër i Mercedesit, Valteri Botas, do të niset nga vendi i tretë, ndërsa Sergio Perez i Red Bulllit mbeti jashtë 10 vendeve të para. Kjo ndikon në strategjinë e skuadrës në pistë. Shtatë herë kampioni i botës dha kohën 1’20”827. Verstapen kryeson renditjen me 14 pikë më shumë se Hamiltoni, ndërsa mbeten edhe 3 gara deri në mbyllje të sezonit.
Sfidanti.al