A mund të ketë burokraci për ekipin përfaqësues të futbollit? Aspak, madje as për ekipet përfaqësuese të sporteve të tjerë. Veçse, në Kosovë është ndryshe. Mediat bëjnë me dije se stadiumi i Prishtinës do të vonohet për të qenë gati për shkak të vonesës në dhënien e lejes nga ana e autoriteteve. “Koha Ditore” njofton se në rindërtimin e impiantit kanë dalë probleme dhe punimet duhen shoqëruar me një leje të re nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, gjë që mund të vonojë 3 muaj.
Kjo do të thotë se stadiumi nuk do të jetë gati në muajin gusht sipas planit dhe se Kosova do të duhet të “falet” në “Loro Boriçi” për ndeshjet e tjera eleminatore të Botërorit. Shpresa ishte që në vjeshtë, ekipi i trajnerit Bunjaki të mund të luante në Prishtinë, por mesa duket kjo nuk do të ndodhë. Skuadra kosovare ka luajtur në Shkodër ndaj Kroacisë, duke u mundur thellë.