Çelsi pa Lukakun e Vernerin, por kujt i hyjnë në punë sulmuesit?!

Blutë e Londrës janë duke luajtur sipas stilit që ka marrë emrin nga katalanasit, “9 false”. Çelsi i trajnerit Tomas Tuhel ishte pa sulmues të deklaruar në fushë për ndeshjen aspak të lehtë në fushën e Leisterit. Pas 90 minutave, u kuptua se nuk qe aspak nevoja për të dëmtuarin Romelu Lukaku apo për të lënin në stol, Timo Verner, pasi kryeqytetasit dominuan ndeshjen nga fillimi deri në fund. Fitorja 3-0 nuk u arrit aspak rastësisht, dhe madje Blutë patën 62 për qind mbajtje topi, 12 gjuajtje drejt portës ndaj 4, dhe 7 në kuadrat ndaj 3. Golat u shënuan nga mbrojtësi Rydiger, mesfushori difensiv Kante dhe lojtari ofensiv, por jo në rol sulmuesi, Pulishiç. Çelsi pati edhe 3 gola të anuluar dhe kjo flet vetë sesa epërsi patën ndaj një ekipi mjaft dinjitoz si Leisteri i trajnerit Brendon Roxhers. Çelsi ka 29 pikë në 12 ndeshje, me 9 fitore, 2 barazime e vetëm 1 humbje dhe me golavezhin e shkëlqyer 30-4. Padyshim që ekipi i Tuhelit mund të cilësohet pretendent i madh për titullin, ndoshta pak më shumë se Siti e Liverpuli.

Sfidanti.al