Këtë herë fituan “të blertët”, pra Sëlltiksat që pritën “Liqenasit” në fushën e tyre. Nën udhëheqjen e Xhejzën Tatëmit (Jason Tatum), Bostoni triumfoi ndaj Lejkërsave bindshëm me shifrat 130-108, pikërisht në mbrëmjen kur Lebron Xhejms u kthye në parket. Legjenda e basketbollit dhe e NBA-së kishte 8 ndeshje që nuk aktivizohej për shkak dëmtimi, dhe rikthimi nuk ishte aspak i lumtur. Tatëm shënoi 37 pikë në prani të gati 20 000 tifozëve që thërrisnin “Mundeni Los Anxhelosin” (Beat L.A.). Lebroni nuk ishte keq, me 23 pikë e 6 topa në tabela në 32 minuta, dhe pas ndeshjes u shpreh se “ndihem mirë fizikisht edhe pse kam munguar 2 javë e gjysmë, por le të shohim sesi do të jem në mëngjes”. Lejkërsat patën humbjen e tretë radhazi dhe janë në bilancin 8 fitore e 9 humbje, aspak të një ekipi që pretendon për titull. “Problemi ynë është mbrojtja”, – thotë Entoni Dejvis që shënoi 31 pikë. Ndërkaq, Lebroni e Tatëmi vazhdojnë duelin e përjetshëm Lejkërs-Boston, që e kanë bërë brezat e mëparshëm me Bill Rasëllin e Xherri Uestin, Lerri Bërdin e Mexhik Xhonsonin apo Pol Pirsi e Kobi Brajanti.
Sfidanti.al