De Gea pret 2 penallti, por Man. Junajtidi sërish humb 1-4 me Uatfordin!

“Deri ku mund të arrijë e keqja për Solskjerin” ishte një pyetje në mediat angleze pas katastrofës së fundit të “djajve të kuq”. Pyetje e saktë pasi Mançester Junajtidi pësoi humbjen e rëndë 1-4 në fushën e Uatfordit, madje në mënyrë krejtësisht të merituar. E pamundur të mbrohet paraqitja e radhës e ekipit të trajnerit Solskjer në Premier Ligë, dhe e pamundur të mos vlerësohet portieri spanjoll, David De Gea. Nëse nuk do t’i kishte pritur 2 penalltitë, atëherë Junajtidi do ta kishte pësuar edhe më keq, por edhe kështu humbja krahasohet me ato ndaj Leisterit, Liverpulit dhe Mançester Sitit.

King në 28’, Sarr në 44’, Zhoao Pedro në 92’ dhe Denis në 96’ ishin autorët e golave për ekipin e Klaudio Ranierit, ndërsa Doni Van de Bek shkurtoi përkohësisht diferencën në 1-2 në 50’. Holandezi luajti një nga ndeshjet e rralla me Solskjerin, kurse kapiteni Harri Megajer u përjashtua me të kuq në 69’. Humbja e lë ekipin legjendar në vendin e 7-të me vetëm 17 pikë, 12 pikë prapa Çelsit kryesues, duke rrezikuar edhe objektivin minimal, kualifikimin për në Champions, ndërsa mund të afrohen Totenhemi apo edhe Aston Vila.

Sfidanti.al