Dortmundi bën detyrën, mund Shtutgartin dhe i afrohet Bajernit

Po mësohet të luajë edhe pa Erling Halandin, siç mund të jetë gjendja sezonin që vjen. Borusia e Dortmundit ia doli që ta bënte detyrën, edhe pse me shumë vështirësi ndaj Shtutgartit, duke fituar 2-1 e duke iu afruar Bajernit në vetëm 1 pikë diferencë. Golat u shënuan vetëm pas pushimit në “Signal Iduna Park” nga holandezi Malen dhe kapiteni Marko Rojs, i cili i dha fitoren në fund. Shtutgarti kishte barazuar në 63’ me anë të Roberto Masimos dhe ishte në rezultatin 1-1 deri në minutën e 85-të. Dortmundi ka tani 27 pikë, ndaj 28 të Bajernit që u mund një ditë më parë në Augsburg dhe gara për titull mbetet e hapur pas 12 javësh. Trajneri Marko Roze dalë nga dalë po krijon ekuilibër me një ekip që luante futboll të bukur me Lysien Favrenë, por shpesh pësonte humbje të papritura.

Sfidanti.al