Duka i jep Rejës votëbesim me kusht në kombëtare!

Në pushim të ndeshjes me Andorrën ishte tepër i mërzitur, por tashmë kanë kaluar disa ditë dhe gjakrat janë ftohur. Armand Duka ka vendosur ta mbajë sërish të lidhur fatin e tij me Edi Rejën në kombëtaren shqiptare. Duke e konfirmoi trajnerin italian, ndonëse duhet thënë “me kusht”, sepse nuk i dha garanci që do ta ketë pas nëntorit 2022. “Ekipi ka fituar 18 pikë, si asnjëherë tjetër, – tha ai, – para nisjes së eleminatoreve kishim objektiv vendin e tretë dhe e arritëm. Ekipi është rinovuar. Unë do t’i vë notën 8. Me trajnerin kemi kontratë deri në 22 nëntor të vitit të ardhshëm, ka kohë deri atëherë, më pas do të shohim nëse do të vazhdojmë me Rejën apo jo”. Përpara konferencës së sotme, një burim në Federatë thoshte se “Reja është i paralajmëruar me një karton të verdhë të fortë, por presidenti nuk pritet që ta marrë vendimin shpejt”. Siç duket “arbitri” nuk po mendon për të nxjerrë “kartonin e kuq”.

Sfidanti.al