Vuçiç, 1 milionë euro Serbisë për të harruar golat e Xhakës dhe Shaqirit!

Ishin në prag të një udhëtimi përcaktues. Kombëtarja e Serbisë po shkonte në Portugali për ndeshjen vendimtare për kualifikim në finalet e Botërorit, dhe përpara fluturimit për në Lisbonë, lojtarët patën një vizitë të veçantë. Presidenti Aleksandër Vuçiç u ngjit në aeroplan për të bërë një premtim. “Rëndësi ka të udhëtoni të sigurt, – tha fillimisht ai, – të fitoni atje, dhe unë iu premtoj se nëse fitoni, kemi për ju 1 milionë euro për t’iu respektuar dhe për t’iu nxitur”. Vendimi është marrë nga qeveria e kryeministres Ana Brnabiç, me nxitjen e Vuçiçit, dhe kjo pritet të jetë një shtysë edhe më e madhe për të mbiquajturit “shqiponjat”.

Këtë e pohoi edhe kapiteni Dushan Tadiç, në konferencën para ndeshjes në krah të trajnerit Dragan Stojkoviç. “Kjo është diçka e bukur nga ana e tyre, – tha sulmuesi, – është një motivim shtesë. Në çdo rast, synimi ynë mbetet të bëjmë gjithçka për të marrë rezultatin që na kualifikon”. Serbisë i bën punë vetëm fitorja, në ndeshjen e sotme që luhet në orën 20:45 në “Estadio da Luz” të Lisbonës. Dy ekipet kanë nga 17 pikë pas 7 ndeshjeve të luajtura në grupin eleminator A, por Portugalia ka golaverazh më të mirë. Ndeshja e luajtur në Beograd përfundoi 2-2, ndërsa ekipet e tjera në grup, Luksemburgu, Irlanda dhe Azerbajxhani janë larg.

Serbia do të synojë të arrijë për herë të dytë radhazi në finalet e Kupës së Botës, pasi mori pjesë në Rusi 2018, ku u eleminua në grup pas humbjes 1-2 me Zvicrën, me golat e shënuar nga Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri.

Sfidanti.al