“Transfuzion gjaku” te kombëtarja, ikin 7 lojtarë dhe thirren 3 të tjerë!

Ndryshime radikale në prag të sfidës së fundit. Shqipëria ka humbur 7 futbollistë dhe ka thirrur 3 të tjerë për ndeshjen ndaj Andorrës këtë të hënë në eleminatoret e Kupës së Botës. Trajneri Edi Reja ka vendosur të lerë të lirë lojtarët që janë të pezulluar dhe të dëmtuar pas humbjes me Anglinë në “Uembli” të Londrës. Të pezulluar janë sulmuesi Cikalleshi, mesfushori Gjasula e mbrojtësi Ismajli. Të dëmtuar janë mbrojtësit Kumbulla e Veseli dhe mesfushori Bare, të cilëve u shtohet sulmuesi Armando Broja që nuk mundi të kalonte lëndimin që kishte që më parë. Tekniku italian ka thirrur në ekip Ernest Muçin, Enis Çokajn dhe Taulant Seferin. Këto nuk janë të vetmet mungesa për kombëtaren, pasi Reja la jashtë listës edhe lojtarë të tjerë të dëmtuar si Gjimshitin, Balliun dhe Manajn. Shqipëria mban vendin e tretë në grupin eleminator të Kupës së Botës dhe duhet që të fitojë ndaj Andorrës për të mos u kërcënuar nga Hungaria që luan në fushën e Polonisë. Ndeshja e së hënës luhet vetëm pak ditë pas humbjes së rëndë 5-0 në fushën e Anglisë.

Sfidanti.al