Nuk bënë punë as mbi 16 500 tifozët në Stadiumin pranë Pyllit të Vjetër. Nuk bënë punë as paralajmërimet e trajnerit vendas Fisher se bavarezët do të ishin si një “bishë e plagosur”. Unioni i Berlinit nuk arriti ta përballonte provën e stërvështirë ndaj Bajernit edhe pse luajti në shtëpi. Kampionët lanë pas turpin e jashtëzakonshëm të Kupës së Gjermanisë, humbjen 0-5 ndaj Borusias së Mynshengladbahut, duke fituar 5-2 e duke mbajtur sërish kreun e Bundesligës. Dy gola të Robert Levandovskit, dhe nga një të shënuar nga Leroi Sane, Kingsli Koman dhe Tomas Myler nuk lejuan që Unioni të kishte ndonjë shpresë. Levandovski ka tani 12 gola në 10 ndeshje në kampionat, dhe 19 rrjeta në 15 sfida të sezonit, duke qenë padyshim lojtari më i mirë në Europë, bashkë me të tillë si Mohamed Salah dhe Karim Benzema. Polaku ka 279 gola në total në Bundesligë, ndërsa me klubet ka arritur në 505 dhe po shkon në 580 bashkë me kombëtaren e Polonisë. Duke u kthyer tek Bajerni, ekipi i trajnerit Julian Nagelsman (sërish në shtëpi me Kovid) ka 25 pikë ndaj 24 të Dortmundit dhe 22 të surprizës Frajburg. Bajerni ka shënuar 38 gola, shumë më tepër edhe sesa Dortmundi (27) që po luan pa Halandin e dëmtuar.
Sfidanti.al